Eskalon protesta në Tiranë, thyhen xhamat e Komisariatit Nr. 3 – përplasje me Policinë, përdoren autobotë me ujë
Tiranë – Protesta e zhvilluar në kryeqytetin shqiptar ka degjeneruar në përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa momentet më të tensionuara u regjistruan përpara Komisariatit Nr. 3, ku një grup protestuesish thyen xhamat e godinës dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve.
Pas tubimit para institucioneve qendrore, protestuesit marshuan drejt Komisariatit Nr. 3, ku mbahen disa persona të shoqëruar pas incidenteve të mëhershme. Me thirrjet “Lironi çunat”, turma u ndal përpara godinës së policisë, ndërsa situata u tensionua shpejt. Sipas raportimeve nga mediat shqiptare, një pjesë e protestuesve goditën komisariatin me sende të forta, duke thyer disa xhama të ndërtesës.
Në përgjigje të incidenteve, Policia ndërhyri me forca shtesë dhe përdori autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa në zonë u krijua kaos dhe përplasje fizike. Disa protestues u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa të tjerë vijuan të qëndrojnë përballë komisariatit duke kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Protesta vjen pas tensioneve të krijuara gjatë manifestimit pranë Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe disa arrestime. Këto zhvillime kanë rritur më tej klimën e tensionit politik në vend, ndërsa opozita akuzon qeverinë për represion ndaj qytetarëve që protestojnë, ndërsa autoritetet deklarojnë se do të ndjekin penalisht çdo akt dhune ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë.
Situata në zonën e Komisariatit Nr. 3 mbeti e tensionuar edhe pas mesnatës, me prani të shtuar të forcave të rendit dhe monitorim të vazhdueshëm për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.