Shitet vetura zyrtare e ish-kryetarit të Strugës, Ramiz Merko – ja me çfar çmimi
Vetura zyrtare Audi A6, e përdorur për disa vite nga ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është shitur sot në ankand publik dhe tashmë ka një pronar të ri nga Manastiri.
Sipas informacioneve të publikuara nga Alsat, automjeti është shitur për 1.350.000 denarë, ose rreth 22 mijë euro.
Mjetet e siguruara nga shitja do të përdoren për shlyerjen e një pjese të borxheve të vjetra të Komunës së Strugës. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetari aktual i komunës, Mendi Qyra, i cili kishte paralajmëruar shitjen e automjetit si një nga premtimet e para pas marrjes së detyrës.
Procesi u vonua pasi automjeti ishte sekuestruar më herët nga një përmbarues nga Ohri, për shkak të detyrimeve financiare të papaguara të Komunës së Strugës.
Me përfundimin e ankandit, vetura ka kaluar zyrtarisht në pronësi të blerësit të ri, ndërsa fondet e përfituara do të shfrytëzohen për uljen e barrës financiare të komunës.