Shembull i rrallë mirënjohjeje: Familja ia kthen shtëpinë pas tetë vitesh

Një familje që kishte përfituar një banesë nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e udhëhequr nga humanisti Halil Kastrati, ka vendosur ta kthejë atë pas tetë vitesh, në mënyrë që të strehohet një familje tjetër në nevojë.

Familja, e cila prej disa vitesh jeton dhe punon në Gjermani, kontaktoi shoqatën për t’i njoftuar për vendimin e tyre.

“Falë Zotit, jeta jonë ka ndryshuar. Sot kemi vendosur që banesën që na e dhuruat para 8 vitesh ta kthejmë përsëri tek ju, që edhe një familje tjetër ta gëzojë, ashtu siç e gëzuam ne. Ne e dimë çfarë do të thotë të jesh pa strehë, prandaj duam që dikush tjetër ta përjetojë atë lumturi”, ishte mesazhi i familjes.

Nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit” thanë se ky moment ishte tepër emocionues, duke theksuar se nuk u kthye vetëm një shtëpi, por edhe besimi se mirësia vazhdon të jetojë dhe të përcillet nga një familje te tjetra.

Sipas tyre, ky veprim dëshmon se një vepër e mirë mund të ndryshojë jetën e dikujt, ndërsa më pas ai që dikur mori ndihmë, bëhet arsye që një familje tjetër të gjejë strehë dhe shpresë.

Ky gjest po vlerësohet si një shembull i jashtëzakonshëm i solidaritetit dhe mirënjohjes, duke rikthyer në qendër të vëmendjes fuqinë e bamirësisë dhe ndikimin që ajo mund të ketë në jetët e njerëzve