Në momentet e fundit ndryshojnë emrat – Ja kush pritet të jenë ministrat e rinj në Qeveri
Në prag të finalizimit të rikonstruimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, burime jozyrtare bëjnë të ditur se në minutat e fundit janë bërë ndryshime në emrat e kandidatëve dhe në ndarjen e disa resorëve ministrorë.
Sipas informacioneve, koalicioni VLEN do të marrë gjithsej gjashtë ministri, por nuk do ta drejtojë Ministrinë e Rinisë dhe Sportit, siç ishte përfolur më herët. Ndërkohë, Bekim Sali pritet të vazhdojë të mbetet ministër për Çështje Evropiane.
Edhe në radhët e VMRO-DPMNE-së priten lëvizje të rëndësishme. Ivan Stoilkoviq, i cili kishte paralajmëruar largimin nga posti i ministrit për Sistem Politik, pritet të propozohet për ministër të Vetëqeverisjes Lokale. Nga ana tjetër, ministri aktual i këtij dikasteri, Zllatko Perinski, sipas burimeve, mund të emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
VMRO-DPMNE pritet të mbajë nën drejtim edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa si kandidat për ministër përmendet Sasho Klekovski.
Ndërkohë, emrat e kandidatëve të VLEN-it për Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Sistemit Politik ende nuk janë bërë publikë.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka thirrur për këtë pasdite mbledhjen e organeve të partisë, ku pritet të konfirmohen emrat e ministrave të rinj, zëvendësministrave dhe një pjesë e drejtuesve të institucioneve shtetërore.