Zbulohen detajet: Ja çfarë kamerash po blejnë institucionet publike?

Gjithçka filloi me një diskutim brenda stafit në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.

Në muajt e parë të vitit 2026, ky spital kishte ndërruar kamerat e sigurisë për disa më të reja.

“Ka pasur fjalë se janë vendosur kamera me zë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sadat Haxhiu, teknik i Radiologjisë në këtë spital.

Haxhiu, i cili është edhe kryesues i Federatës së Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë për rajonin e Ferizajt, thotë se me t’i dëgjuar këto fjalë, vendosi të reagojë.

“E kam njoftuar Federatën në nivel qendror. Ata kanë intervenuar tek Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave (Agjencia për Informim dhe Privatësi)”, thotë ai.

Një ankesë për këtë çështje kishte arritur në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) qysh më 9 mars.

Agjencia, më pas, nisi inspektimin dhe konstatoi se ankesa ishte e bazuar.

Më 27 prill, AIP e urdhëroi spitalin që të ndalojë vëzhgimin e këtij lloji.

Haxhiu konfirmon për REL-in se urdhri ka funksionuar dhe se kamerat që incizonin zërin, janë hequr.

Pse u vendosën këto kamera?

Deri në publikimin e këtij artikulli, udhëheqja e spitalit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me arsyet e vendosjes së kamerave me aftësi për incizimin e zërit.

Vetë Haxhiu thotë se nuk beson që ka pasur ndonjë qëllim të keq të menaxhmentit.

“Nuk ma merr mendja edhe që i ka dëgjuar dikush ata (zërat nga kamerat). Edhe drejtoria… s’besoj që e ka ditur që janë me zë ato kamera”, thotë ai.

Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se përdorimi i kamerave me funksione të incizimit të zërit dhe njohjes së fytyrës, në parim, është i ndaluar.
Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se përdorimi i kamerave me funksione të incizimit të zërit dhe njohjes së fytyrës, në parim, është i ndaluar.
Por, sipas të dhënave publike të prokurimit, aftësia e incizimit të zërit ishte kriter specifik i kërkuar në dosjen e tenderit, që u dha në nëntor të vitit 2025.

Në këtë dosje, ku ishte kërkuar blerja e 32 kamerave, specifikohej se duhet pasur “1 ch Audio In/Out” – një kanal që ofron komunikim me zë në të dyja anët.

Spitali i Ferizajt nuk iu përgjigj as pyetjeve për arsyet e kërkimit të kësaj specifike, e as se si u zëvendësuan më pas kamerat, pasi u hoqën ato me funksion të incizimit të zërit.

A lejohet incizimi i zërit nga kamerat e sigurisë?

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, shumë rrallë.

“Duke qenë se teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe audio-incizimi paraqesin forma veçanërisht invazive (ndërhyrëse) të përpunimit të të dhënave personale, përdorimi i tyre duhet të konsiderohet përjashtim dhe jo rregull”, thanë nga kjo agjenci për Radion Evropa e Lirë.

Agjencia vlerësoi, po ashtu, se ky lloj përpunimi i të dhënave paraqet “një ndërhyrje të thellë në privatësinë e individëve” dhe se “nuk duhet të konsiderohet pjesë e zakonshme e sistemeve të vëzhgimit me kamerë”.

Kamera të avancuara në spitale, shkolla e rrugë?

Spitali i Ferizajt nuk është institucioni i vetëm që, të paktën në kërkesat për blerje të kamerave, ka kërkuar specifika teknike për incizim zëri.

Radio Evropa e Lirë analizoi dosjet e tenderëve të hapur në vitet e fundit për blerjen e sistemeve të kamerave dhe, në të paktën 10 prej tyre, specifikat teknike parashihnin edhe funksionin e audios.

Për më tepër, në disa prej tyre, u kërkua edhe “njohja e fytyrave” dhe aftësia për “analiza inteligjente”.

Një nga këta tenderë u dha nga Komuna e Drenasit në tetor të vitit 2025 për kamera që tashmë janë instaluar në disa rrugë të kësaj komune.

Ekspertët thonë se përdorimi i kamerave inteligjente mund të cenojë privatësinë, veçmas nëse ato vendosen në spitale, shkolla, çerdhe dhe hapësira publike.
Ekspertët thonë se përdorimi i kamerave inteligjente mund të cenojë privatësinë, veçmas nëse ato vendosen në spitale, shkolla, çerdhe dhe hapësira publike.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, kjo komunë tha se, megjithëse kamerat e instaluara kanë mundësi teknike për incizim audio dhe video, aktualisht është aktivizuar vetëm mundësia e regjistrimit të videos.

Ajo sqaroi, po ashtu, se disa nga kamerat kanë aftësitë e njohjes së targave të automjeteve, “me qëllim identifikimin e automjeteve të dyshimta ose të automjeteve që kryejnë shkelje të rregullave të komunikacionit në rrugët e qendrës së qytetit”.

Komuna nuk dha sqarime se çfarë nënkuptonin konkretisht specifikat e kërkuara në dosjen e tenderit, përfshirë ato për “të mësuarit e thellë për klasifikimin e njerëzve dhe automjeteve”, si dhe për “njohjen e maksimum 50 fytyrave në hapësira publike”.

Dosja e tenderit në Drenas.
Dosja e tenderit në Drenas.
Kërkesë për kamera në shkolla dhe çerdhe

Rreth 50 kilometra larg Drenasit, edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut përgatiti një tender të ri.

Në këtë tender që u hap më 18 qershor dhe është ende në fazë fillestare, kërkohen të blihen kamera për disa institucione arsimore, përfshirë shkolla e çerdhe.

Në specifikat e këtij tenderi, ndër tjera, kërkohet që sistemi i kamerave të ketë “hyrje dhe dalje audio për komunikim [të dyanshëm]”.

Veç kësaj, sipas komunës, ky sistem duhet të mbështesë deri në 300 baza të të dhënave të fytyrave (ose ekuivalentin e tyre) dhe deri në 100.000 imazhe për njohjen e fytyrës (face recognition).

Deri në publikimin e këtij artikulli, komuna nuk u përgjigj në pyetjet e Radios Evropa e Lirë se pse po kërkonte blerjen e kamerave me këto specifika.

Dosja e tenderit të Mitrovicës së Jugut.
Dosja e tenderit të Mitrovicës së Jugut.
Pse mund të jenë të rrezikshme kamerat inteligjente?

Eksperti i sigurisë kibernetike, Korab Keqekolla, vlerëson se përfshirja e funksioneve si njohja e fytyrës dhe incizimi i zërit në kamerat që prokurojnë institucionet publike, kërkon bazë të qartë ligjore dhe transparencë.

“Ka dallim të madh mes një kamere që dokumenton një ngjarje sigurie dhe një sistemi që identifikon njerëz në kohë reale… E para është mbikëqyrje klasike, e dyta është mbikëqyrje biometrike masive”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, njohja e fytyrës mund të përdoret vetëm në raste të kufizuara, si kontrolli i qasjes në zona të ndjeshme, dhe vetëm duke respektuar kërkesat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Kur këto sisteme futen në një shkollë a spital pa këtë proces… kalojmë nga siguria fizike te mbikëqyrja e përgjithshme e qytetarëve”, thotë Keqekolla.

Ai paralajmëron se edhe incizimi i zërit në spitale, mund të cenojë privatësinë e pacientëve.

Përveç kësaj, ai ngre shqetësime edhe për sigurinë kibernetike të këtyre sistemeve.

“Kamerat IP janë kompjuterë të lidhur në rrjet, jo pajisje pasive”, thotë ai.

Sipas Keqekollës, institucionet publike duhet ta kuptojnë që një sistem kamerash nuk është thjesht prokurim i pajisjeve, por “angazhim afatgjatë për të mbrojtur të dhëna të ndjeshme të qytetarëve për vite me radhë”.

“Nëse nuk kemi kapacitete për këtë përgjegjësi, atëherë as sistemet nuk duhet t’i kenë këto funksione. Fillimi me funksione minimale dhe rritja graduale, aty ku ka nevojë reale dhe kornizë ligjore të qartë, është qasje shumë më e shëndoshë sesa blerja e ‘smart’ gjithçkaje… sepse është e disponueshme në katalog”, shton ai.

Radio Evropa e Lirë identifikoi edhe disa tenderë të ngjashëm në disa institucione tjera, përfshirë Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë, Qendrën Klinike Stomatologjike në Prishtinë, Komunën e Vushtrrisë, atë të Junikut, Gjilanit e Rahovecit.

Një person duke kaluar në një rrugë që është nën vëzhgimin e kamerave inteligjente.
Një person duke kaluar në një rrugë që është nën vëzhgimin e kamerave inteligjente.
Në këta tenderë për blerje të kamerave – disa tashmë të kontraktuar e disa në proces – u kërkuan specifika qoftë për incizimin e zërit, apo edhe analiza inteligjente dhe njohje të fytyrës.

Shumica prej këtyre institucioneve, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Komuna e Vushtrrisë tha se tenderi, që është në fazë fillestare, i ka specifikat e caktuara meqë furnizimi do të bëhet për Stacionin Policor në Vushtrri.

Megjithatë, në dosjen e tenderit është paraparë edhe furnizimi për qendra shëndetësore dhe objekte shkollore. Edhe për këto objekte kërkohen funksione inteligjente, përfshirë zbulimin dhe krahasimin e fytyrës.

E pyetur pse këto funksione janë paraparë edhe për shkolla dhe institucione shëndetësore, komuna tha se synimi është forcimi i sigurisë në objektet publike ku qarkullon një numër i madh qytetarësh dhe ku ruhen pajisje mjekësore, dokumentacion dhe inventar me vlerë.

“Objektet e QKMF/QMF dhe shkollat kanë qenë në të kaluarën objekt i vjedhjeve, dëmtimeve dhe hyrjeve të paautorizuara jashtë orarit të punës”, thuhet në përgjigje.

Sipas komunës, funksioni i zbulimit të fytyrës ndihmon edhe në uljen e alarmeve të rreme, pasi dallon ndërhyrjet njerëzore nga lëvizjet e tjera.

Komuna shtoi se sistemi nuk është i destinuar për mbikëqyrjen e nxënësve gjatë mësimit apo të pacientëve gjatë trajtimit.

“Kamerat vendosen në hyrje-dalje, korridore dhe perimetër të jashtëm të objekteve, dhe jo në klasa apo dhoma të ekzaminimit”, sipas Komunës së Vushtrrisë.

Komuna e Rahovecit, e cila më 17 qershor 2026 hapi një tender për furnizim me kamera për objekte publike, kërkoi që disa prej tyre të kenë mikrofon të integruar, por nuk sqaroi arsyen e kësaj kërkese.

Në përgjigje, ajo i tha REL-it se “procedura nuk ka përfunduar ende” dhe “nuk është lidhur kontratë me operator ekonomik”.