E ndjeu tragjedinë para se të merrte lajmin: Bosnja në zi për studentin që humbi jetën në aksidentin me tramvaj
Bosnja dhe Hercegovina është zhytur në pikëllim pas vdekjes tragjike të një studenti të ri, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë me tramvaj në Sarajevë. Ngjarja ka tronditur komunitetin studentor dhe qytetin, ndërsa detaje prekëse po dalin në dritë.
Konvikti studentor “Nedžarići” është mbështjellë nga heshtja. Në hyrje është vendosur një qiri, simbol i dhimbjes dhe respektit për studentin nga Brçko, i cili ishte duke studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë.
Miqtë dhe kolegët e tij janë të shkatërruar emocionalisht. Ata e përshkruajnë si një artist të talentuar, por mbi të gjitha si një njeri të mirë, mik dhe koleg të përkushtuar. Studentët e konviktit kanë vendosur të mos lëshojnë muzikë në shenjë zie dhe kanë ndezur qirinj për ta nderuar kujtimin e tij.
Një detaj veçanërisht prekës lidhet me vëllain e tij binjak. Sipas mediave lokale, ai kishte ndjerë se diçka e rëndë kishte ndodhur me të vëllanë, për shkak të lidhjes së fortë që kishin mes tyre. Vetëm më vonë ai mësoi të vërtetën e dhimbshme për humbjen e tij. Prindërit mbërritën në Sarajevë dhe morën trupin e djalit të tyre, duke u nisur drejt Brçkos.
Tragjedia ndodhi dy ditë më parë, pak para mesditës, kur një tramvaj që po lëvizte nga Stacioni Hekurudhor drejt Baščaršisë doli nga shinat me shpejtësi të madhe. Përveç viktimës, një vajzë 17-vjeçare pësoi lëndime të rënda dhe iu nënshtrua operacionit, gjatë të cilit mjekët u detyruan t’ia amputojnë njërën këmbë. Disa persona të tjerë gjithashtu mbetën të plagosur.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në opinion, ndërsa qytetarët u mblodhën në vendin e aksidentit për të nderuar viktimat. Ndërkohë, shoferi i tramvajit, i lindur në vitin 1978, është arrestuar nga policia e Sarajevës nën dyshimin për vepra të rënda penale kundër sigurisë së transportit publik dhe rrezikim të trafikut publik. Ai ndodhet në ambientet e policisë dhe hetimet për zbardhjen e plotë të tragjedisë janë në vazhdim.
Kjo tragjedi ka lënë pas një dhimbje të thellë, ndërsa familjarët, miqtë dhe kolegët përkujtojnë jetën e shkurtër të një studenti që kishte ëndrra të mëdha dhe një të ardhme përpara.