Tragjedi në Gjermani: Pitbulli i merr jetën vajzës 4-vjeçare brenda banesës

Një vajzë katërvjeçare ka humbur jetën të mërkurën pasdite pas një sulmi nga një qen pitbull në zonën e Osternienburger Land, në Gjermani.

Policia, ekipet e emergjencës dhe mjeku i urgjencës u njoftuan rreth orës 16:00 pas një telefonate, dhe pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta rikthyer në jetë, ekipet mjekësore nuk arritën ta shpëtonin fëmijën. Mjeku i urgjencës vetëm sa mundi të konstatonte vdekjen e saj, raportojnë mediat gjermane.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, vajza dhe qeni ndodheshin në të njëjtën banesë. Dyshohet se kafsha e ka sulmuar fëmijën, duke i shkaktuar plagë fatale.

Kur mbërritën në vendngjarje, forcat e policisë nuk konstatuan më rrezik të menjëhershëm nga qeni. Ekipet e shpëtimit nisën menjëherë masat e reanimimit, por ndërhyrja rezultoi e pasuksesshme.

Policia e Dessau-Roßlaut bëri të ditur se qeni është marrë nën kontroll pas incidentit dhe i është dorëzuar një institucioni për mbrojtjen e kafshëve. Sipas autoriteteve, aktualisht kafsha nuk paraqet më rrezik për njerëzit.