Tragjedi e rëndë! Tre të rinj humbin jetën duke u mbytur në det

Tre djem të rinjë humbën jetën sot pasi u futën për t’u larë në plazhin Arrabassada në Tarragona të Spanjës. Autoritetet shpallën ditë zie.Ndërsa gjashtë fëmijë u mbytën për vetëm 72 orë, ekspertët me apel urgjent për prindërit

Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë në ujë në Spanjë kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për familjet dhe turistët, pasi gjashtë fëmijë kanë humbur jetën nga mbytja brenda vetëm 72 orëve në pjesë të ndryshme të vendit.

Eksperti për parandalimin e mbytjeve, Sebastián Quintana, ka ngritur shqetësimin për atë që e cilësoi si një mungesë tragjike të mbikëqyrjes së fëmijëve, duke u bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të mos i lënë asnjëherë fëmijët pa vëzhgim në plazhe apo pishina.

Sipas tij, rastet fatale janë regjistruar në Katalonjë, Ishujt Balearikë, Andaluzi dhe Ishujt Kanarie.

Quintana tha se, sipas të dhënave, në nëntë nga dhjetë rastet e mbytjeve të fëmijëve, prindërit ose kujdestarët nuk ndodheshin pranë tyre në momentin e ngjarjes.

“Mungesa e vëmendjes, mbikëqyrjes ose edhe mungesa e të rriturve në zonën e larjes është shkaku kryesor i këtyre tragjedive njerëzore. Një fëmijë nuk do të bërtasë për ndihmë. Mbytja ndodh shumë shpejt dhe në heshtje”, është shprehur ai.

Paralajmërimi vjen pasi një vajzë britanike 4-vjeçare humbi jetën të martën në ishullin spanjoll të Lanzarotes, pasi u mbyt në pishinën e një hoteli në zonën turistike Playa Blanca.

Sipas mediave britanike, fëmija u nxor nga uji rreth orës 13:30, ndërsa në vendngjarje mbërritën me urgjencë një helikopter, autoambulanca dhe forca policore. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta rikthyer në jetë, 4-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.

Po ashtu, mediat raportojnë se edhe një tjetër fëmijë britanik, po 4 vjeç, humbi jetën pasi ra në një pishinë në një banesë pushimi pranë zonës turistike të Costa del Sol.

Ekspertët u bëjnë thirrje të gjithë prindërve që të mos i lënë fëmijët pa mbikëqyrje, qoftë edhe për pak sekonda, pasi mbytjet mund të ndodhin në heshtje dhe brenda një kohe shumë të shkurtër.

Autoritetet spanjolle vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal gjatë sezonit veror, kur plazhet dhe pishinat frekuentohen nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.