T: Arrestohet bossi i madh i cigareve

Biznesmeni malazez Veselin Vesko Baroviq është arrestuar mbrëmë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të evazionit fiskal, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese, raportoi “Vijesti”.

Baroviq sot është dërguar për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Themelore Shtetërore në Podgoricë.

Drejtoria e Policisë njoftoi se biznesmeni 73-vjeçar dyshohet se ka shmangur pagesën e tatimit në vlerë prej rreth 332.000 eurosh, ndërsa gjatë kontrolleve në lokacionet që ai përdorte në tre qytete, nga ai janë sekuestruar dy pistoleta, municion dhe një karikator me municion për armë automatike, të cilat i posedonte në mënyrë të paligjshme. Ekziston dyshimi se Baroviq e ka kryer veprën në vitin 2018.

Policia, në koordinim me prokurorinë kompetente, do të vazhdojë aktivitetet e hetimit financiar në fazën e ardhshme të procedurës.

Mbrëmë, policia ka kryer kontrolle në disa banesa, shtëpi dhe objekte të tjera që i përdorte Veselin Baroviq në Podgoricë, Danilovgrad dhe Budva, pas së cilës ai është ndaluar pas kontrollit të shtëpisë në lagjen Bandiçi.

Baroviq për më shumë se tre dekada konsiderohej mik i afërt i ish-presidentit Milo Gjukanoviq.

Ai është përmendur edhe në aktakuzën e prokurorit italian Xhuzepe Shelzi si “një nga bosët e kontrabandës së cigareve” që në vitet 1990 zhvillohej përmes Malit të Zi.

Gjatë privatizimit masiv me kupona, si pronar i “Eurofond”, së bashku me një grup personash dhe kompanish të lidhura, ai mori nën kontroll disa ndërmarrje malazeze, ndërsa ishte aktiv edhe në bursat – në vend dhe në rajon.

Baroviq për gati tre dekada ka qenë figurë kyçe në basketbollin malazez – president i KK Budućnost në periudhën e sukseseve më të mëdha të klubit në ish-shtetin, si dhe president i Federatës së Basketbollit në disa mandate