Policia jep detaje zyrtare për rastin e dhunës ndaj një 17-vjeçareje

Publikimi në sociale i një videoje që shfaq dhunën ndaj një 17-vjeçareje në Fier ka rikthyer ngjarjen në qendër të vëmendjes publike, edhe pse episodi kishte ndodhur rreth një muaj më parë.

Pas reagimeve të shumta, Drejtoria Vendore e Policisë Fier publikoi një deklaratë zyrtare, ku bëri të ditur se rasti ishte denoncuar menjëherë pas ngjarjes dhe se veprimet procedurale ishin kryer në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas Policisë, më 8 qershor 2026, 17-vjeçarja, e shoqëruar nga nëna e saj, u paraqit në Komisariatin e Policisë Fier, ku kallëzoi se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy të mitura 15-vjeçare.

Autoritetet bëjnë me dije se, pas kallëzimit, vajzat e përfshira u shoqëruan në komisariat dhe u kryen veprimet procedurale. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë më 9 qershor për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa hetimet vijojnë.

Policia njoftoi gjithashtu se më 28 qershor njëra prej 15-vjeçareve të përfshira në këtë procedim u arrestua për një çështje tjetër, pas një kallëzimi të bërë nga nëna e saj për dhunë në familje. Sipas autoriteteve, më pas ajo u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.

Ndërkohë, në një prononcim për Top Channel, gjyshi i 17-vjeçares tha se kishte mësuar për ngjarjen vetëm pasi pamjet u transmetuan në televizizion, duke u shprehur i tronditur nga ajo që kishte ndodhur.

Edhe një fqinje e familjes deklaroi për të njëjtin televizion se vajza ishte ftuar nga bashkëmoshataret me pretekstin e një sqarimi dhe se më vonë u kishte treguar prindërve për ngjarjen, çka çoi në denoncimin në polici. Sipas saj, 17-vjeçarja ka kaluar vështirësi të mëdha psikologjike pas incidentit.

Publikimi i videos disa javë pas ngjarjes ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa çështja mbetet nën hetim nga Prokuroria, e cila pritet të sqarojë plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore të rastit.