Po digjet Ballkani! Temperaturat përvëluese ndezin zjarre të mëdha në disa shtete

**Zjarret po përhapen në rajon, temperaturat ekstreme e përkeqësojnë situatën**

Temperaturat jashtëzakonisht të larta që kanë përfshirë Evropën Jugore kanë shkaktuar probleme serioze në disa vende, ku zjarrfikësit prej ditësh po luftojnë me zjarre të mëdha pyjore. Thatësira dhe erërat e forta po e vështirësojnë edhe më tej situatën në Greqi, Kroaci dhe Slloveni, ku rreziku për shpërthimin e vatrave të reja të zjarrit mbetet shumë i lartë.

Situata më kritike është në Greqi. Një zjarr i ri i madh është përhapur mbrëmjen e sotme pranë Selanikut, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa vendbanime në veri të qytetit. Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erërave të forta, ndërsa re të dendura tymi mbuluan pjesët perëndimore të qytetit. Në operacion janë angazhuar më shumë se 100 zjarrfikës me dhjetëra automjete.

Vatra zjarri janë aktive edhe në Halkidiki, një nga destinacionet më të preferuara verore për turistët nga rajoni, si dhe në pjesët qendrore të Greqisë.

Në disa rajone, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve, ndërsa zjarret kanë shkaktuar edhe humbje jetësh.

Situata është e rëndë edhe në Kroaci, ku pas zjarreve në ishullin Vis, një vatër e re e madhe është shfaqur edhe në ishullin Hvar. Zjarrfikësit po përpiqen ta vendosin zjarrin nën kontroll, por temperaturat e larta dhe erërat e forta po rrisin rrezikun e përhapjes së tij.

Me zjarre po përballet edhe Sllovenia, veçanërisht në rajonin e Karstit, ku vegjetacioni i thatë dhe kushtet e pafavorshme atmosferike po favorizojnë përhapjen e flakëve. Shërbimet kompetente paralajmërojnë se rreziku mbetet në nivel shumë të lartë.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që nga fillimi i vitit në Bashkimin Evropian janë djegur më shumë se **118.000 hektarë** sipërfaqe, ndërsa numri i zjarreve është dukshëm mbi mesataren shumëvjeçare.

Parashikimet deri më **8 korrik** tregojnë rrezik ekstrem nga zjarret në pjesë të Mesdheut dhe Ballkanit Perëndimor.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht turistëve, të ndjekin me kujdes paralajmërimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjen në zonat pyjore gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të respektojnë rreptësisht ndalimin e ndezjes së zjarrit në ambiente të hapura. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke e mbajtur rrezikun për zjarre të reja në nivele shumë të larta.