Lufta në Lindjen e Mesme, Ministria e Jashtme apel: Evitoni çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje shqiptarëve që të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të Lindjes së Mesme, pasi ky rajon është përfshirë nga lufta, pasi SHBA dhe Izraeli sulmuan Iranin.

Po ashtu Ministria e Jashtme ka këshilluar edhe shqiptarët që jetojnë në këtë rajon, ku iu bën thirrje që të largohen përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.

Po ashtu atyre iu është bërë thirrje që të ndjekin zhvillimet dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale.

Postimi i Ministrisë së Jashtme:  

Njoftim i përditësuar mbi situatën në Lindjen e Mesme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.

Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:

• Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.

• Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;

• Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;

• Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;

• Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.

Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.

Autoritetet shqiptare janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.