Në seancën e sotme për pyetje deputetësh, deputetja Slavjanka Petrovska nga LSDM nxori fotografi, sipas të cilave drejtori i Inspektoratit Shtetëror, Vase Anakiev, ishte arrestuar me para në parkingun nëntokësor të ndërtesave “Xhevahir”, ku sipas saj, banesë kishte edhe ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
“Lokacioni i arrestimit të drejtorit është në një garazh nëntokësor prej nga shkohet drejt banesës së Cvetan Tripunovskit. Pyetja ime e qartë për ju është: a e keni ndërprerë ju apo dikush tjetër me vetëdije dhe qëllim operacionin në MPB, pra e keni arrestuar drejtorin para se ai t’ia dorëzonte paratë ministrit të Bujqësisë? ‘Edhe nëse është vëllai im, do të përgjigjet’, thatë ju”, e pyeti Petrovska ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Petrovska tha se ky informacion për vendin e arrestimit nuk ishte bërë kurrë publik. “E arrestuat vetëm drejtorin, por jo edhe përfituesin përfundimtar të atyre mjeteve”, shtoi ajo.
Drejtori i arrestuar i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, u kap me 50 mijë euro që thuhet se i kishte kërkuar si ryshfet për të dhënë miratim për hyrjen e një kamioni me mall bujqësor. Ministri Toshkovski atëherë deklaroi se “për zhvatje, sidomos kur zyrtarët kapen në flagrancë, do të ketë hetim të rreptë dhe përgjegjësi”.
Toshkovski u përgjigj se në vendin ku u arrestua Anakiev jetojnë shumë ish- dhe funksionarë aktualë dhe se ai u kap aty duke marrë paratë.
“Do të jem pak i rezervuar dhe do të them se në objektin në fjalë, sipas informacioneve që mora 30 sekonda pasi më bëtë pyetjen, jetojnë shumë funksionarë aktualë dhe të mëparshëm. Personi është arrestuar në atë lokacion sepse aty i ka pranuar mjetet. Kush tjetër jeton në atë objekt, sinqerisht nuk e di, ndoshta ju e dini më mirë se unë”, tha ministri Toshkovski.