Çmimet e naftës janë shtrenjtuar më tej, pasi ministri i Energjisë i Katarit paralajmëroi se ai pret që të gjitha vendet eksportuese të naftës dhe gazit në Gjirin Persik ta ndalin prodhimin brenda disa ditësh.
Ministri Saad al-Kaabi i tha gazetës “Financial Times” se konflikti në Lindjen e Mesme – rajon që luan rol kyç në dërgesat globale të energjisë dhe në rrugët e transportit – mund “t’i rrëzojë ekonomitë e botës”, transmeton televizioni BBC.
Rritja e çmimeve të naftës mund të ketë efekte të gjera, jo vetëm për atë se sa do t’u kushtojë njerëzve që t’i mbushin veturat, por preken edhe kostot e ngrohjes, ushqimit dhe mallrave të importuara.
Ministri Kaabi i tha gazetës “Financial Times”: “Nëse kjo luftë vazhdon për disa javë, rritja e GDP-së (prodhimi vendës bruto) përreth botës do të preket. Çmimi i energjisë për secilin do të shkojë më lart. Do të ketë mungesë të disa produkteve dhe do të jetë një reagim zinxhiror i fabrikave që nuk mund të ofrojnë [prodhim].”
Ka pasur frikë se kriza e tanishme mund të ketë ndikim të ngjashëm me luftën e Rusisë në Ukrainë, por deri më tani çmimet e naftës dhe gazit kanë qëndruar nën majat e arritura më 2022.
Katari është prodhues dhe eksportues i rëndësishëm i naftës dhe i gazit natyror të lëngëzuar.
Këtë javë, kompania “QatarEnergy” tha se e kishte ndërprerë prodhimin e gazit natyror të lëngëzuar pas “sulmeve ushtarake” ndaj objekteve të saj.
Kur u pyet për paralajmërimin e ministrit nga Katari, Jorge Leon, analist në kompaninë “Rystad Energy”, i tha televizionit BBC se situata paraqet “rrezik real ndaj ekonomisë globale”.
“Mendoj se jemi në tehun e përpjekjes për të kuptuar nëse kjo është një krizë shumë e shkurtër energjetike me implikime të kufizuara, apo jemi në fillimin e një krize masive ekonomike dhe të energjisë” – tha ai.
“Nëse kjo zgjat për më shumë se dy javë, atëherë gjasat që të shohim implikime shumë domethënëse për sistemin e energjisë dhe për perspektivën globale makroekonomike janë shumë më të larta” – paralajmëroi analisti.
Ministri Kaabi, i cili gjithashtu është shef ekzekutiv i kompanisë “QatarEnergy”, tha se edhe nëse lufta do të ndalej tani, do të nevojiteshin “javë deri në muaj” që të riniste prodhimi normal./Nacionale