Gazetari Resul Sinani Me Dedikim Prekës Për Shokun E Tij Të Luftës, I Cili Humbi Jetën Tragjikisht Në Austri

Lajmi për vdekjen e shokut tim të fëmijërisë, Asllanit, në një mënyrë të tillë aksidentale dhe tragjike më preku tepër. Ky lajm i trisht është e vështirë të pranohet… dhemb shumë!

Me Asllanin jemi rritur bashkë. Kemi mijëra kujtime nga fëmijëria jonë – çfarë nuk kemi kaluar e përjetuar së bashku… Nga lojërat e pafundme, te ëndrrat e mëdha që i ndërtonim me naivitetin më të bukur të rinisë.

Rrugët tona vazhduan bashkë edhe më vonë, ku si studentë, për një kohë ishim edhe cimerë. Në Prishtinë, sidomos në vitet e vështira 1997–1999, kemi ndarë gjithçka – madje edhe kafshatën e bukës. Ishin kohë të rënda, por shoqëria jonë i bënte më të përballueshme.

Kur erdhi momenti i mobilizimit në UÇK, përsëri ishim bashkë. Edhe atëherë, si gjithmonë, pranë njëri-tjetrit. Fati deshi që ta shijojmë edhe çlirimin e Kosovës dhe përsëri të thurnim plane për të ardhmen, por tashmë në Kosovën e lirë.

Pas luftës, Asllani vazhdoi për një kohë të gjatë në TMK, mirëpo duke mos gjetur perspektivën që e ëndërronte, mori rrugën e mërgimit, në Vjenë të Austrisë, ku jetoi për pothuajse dy dekada.

Që nga ajo kohë, takimet tona u rralluan, por asnjëherë nuk humbën ngrohtësinë. Sa herë që takoheshim, gjithçka niste aty ku kishte mbetur, sikur koha të mos kishte ecur fare, sikur të mos ishim ndarë kurrë.

Herën e fundit u takuam në Vjenë gjatë verës së kaluar. Kaluam orë të tëra bashkë, një ditë e plotë me kujtime, biseda e të qeshura pa fund… pa e ditur që do të ishte takimi jonë i fundit, dita e fundit.

Asllani ishte nga ata njerëz që rrallë i gjen sot… gjithmonë i hareshëm, me humor të mirë dhe me një të qeshur që të ngjitej menjëherë. E qeshura e tij ishte e sinqertë, e zëshme dhe e paharrueshme, ashtu si edhe në këtë foto që paska qenë fotografia jonë e fundit.

Asllani do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtimeve të mia më të bukura, e një kohe që nuk kthehet më, por që jeton brenda meje.

U prehsh në paqe, shoku im i fëmijërisë!