Albin Kurti: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve – kjo është data kur mund të mbahen zgjedhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se bisedimet ndërmjet palëve kanë rezultuar të pasuksesshme.

Kurti tha se asnjë nga ofertat e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është pranuar nga Abdixhiku, duke shtuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat sipas tij janë të panevojshme dhe me kosto të lartë për shtetin.

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe mjete buxhetit të Kosovës. Së paku 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve. Kriza politike është thelluar ditëve të fundit, ndërsa partitë nuk kanë arritur konsensus, duke e shtyrë vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.

Sipas zhvillimeve aktuale në skenën politike, data më e përfolur për mbajtjen e zgjedhjeve është 7 qershori, në rast se nuk arrihet marrëveshje për presidentin brenda afateve kushtetuese.

Ngërçi institucional ka ardhur pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të sigurojë kuorumin dhe votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, me partitë opozitare që kanë bojkotuar procesin, duke e bërë të pamundur vendimmarrjen.

Në këto rrethana, vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor, duke rrezikuar vazhdimin e paqëndrueshmërisë politike, një situatë e ngjashme me krizën e kaluar kur mungesa e marrëveshjeve çoi në zgjedhje të parakohshme.

Nëse nuk ka lëvizje konkrete politike në ditët në vijim, 7 qershori pritet të jetë data kur qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjidhur krizën institucionale.