Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka rikujtuar të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale lidhur me datat e ekzekutimit të pagesave gjatë muajit mars.
pas njoftimit të ministrisë, pagesat për kategori të ndryshme do të realizohen në disa data të caktuara gjatë muajit, prandaj përfituesit duhet të kontrollojnë llogaritë e tyre bankare.
Sipas kalendarit të publikuar, pagesat do të ekzekutohen si në vijim:
Me datë 16 të çdo muaji ekzekutohen pagesat e skemave sociale dhe pensioneve që nuk kanë nevojë për proces verifikimi me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Me datë 19 të çdo muaji realizohen pensionet e veteranëve dhe pensionet tjera që kërkojnë verifikim me ATK, përfshirë pensionet e Trepçës dhe pensionet familjare.
Me datë 24 të çdo muaji ekzekutohen pagesat për masat aktive të tregut të punës.
Me datë 25 të çdo muaji realizohen pagesat për lehonat e punësuara dhe të papuna, si dhe shtesat për fëmijë.
Me datë 30 të çdo muaji bëhen pagesat e ndihmës sociale dhe masave të tjera të veçanta nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.
Me datë 31 të çdo muaji ekzekutohen pagesat për sektorin publik.
Ministria u bën thirrje të gjithë përfituesve që të kontrollojnë llogaritë e tyre bankare gjatë këtyre datave për të verifikuar nëse pagesat janë ekzekutuar.