Kurti: Nga 15 marsi hyn në fuqi këto dy ligje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb.
Pas takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, Kurti deklaroi se faza e parë e zbatimit ka nisur më 15 janar dhe se tashmë janë bërë përgatitjet për hyrjen në fuqi të plotë të ligjeve.
“Siç edhe jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim më efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik. Është fjala për ligjin për të huajt dhe atë për veturat, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke filluar nga data 15 janar e këtij viti, ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e orientuar në qartësim, informim dhe vetëdijësim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve. Por njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve”, tha ai
Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do të dalim fitues nga zbatimi i këtyre dy ligjeve e besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj. Pra të huajt, që falë rregullave të përcaktuara me ligj, do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e më shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin edhe si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike”, tha ai.
Duke folur për ndikimin e ligjit te qytetarët që vijnë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, ai theksoi se qëllimi nuk është ndërprerja e shërbimeve, por legalizimi i tyre brenda kornizës ligjore të Kosovës.