Dorëheqje tronditëse në Goldman Sachs – zbardhen dhuratat luksoze nga Epstein

Dorëheqja e saj, e cila hyri në fuqi më 30 qershor, pasoi publikimin e dosjeve që përmbanin email-e shumëvjeçare nga një person i identifikuar si “Kathy Ruemmler”, ku Epstein përmendej si “Xhaxhai Jeffrey”. Në një email të vitit 2018, “Kathy Ruemmler” falënderon Epstein për një dhuratë “të mrekullueshme dhe të menduar mirë”. Ndërsa në një mesazh të janarit 2019, ajo shkruan: “Sot xhaxhai Jeffrey më ka lënë pa fjalë! Çizme Jeffrey, një çantë dhe një orë dore”, duke përshkruar dhuratat që dyshohet se ka marrë. Në një deklaratë me shkrim, Ruemmler tha se “përgjegjësia ime është të vendos interesat e Goldman Sachs mbi të gjitha” dhe se me “keqardhje” kishte informuar Drejtorin Ekzekutiv të bankës, David Solomon, për vendimin e saj për t’u larguar nga posti i Drejtores Kryesore Ligjore dhe Këshilltares së Përgjithshme.

“Që kur iu bashkova Goldman Sachs gjashtë vjet më parë, ka qenë privilegji im të ndihmoj në mbikëqyrjen e çështjeve ligjore, institucionale dhe rregullatore të firmës, të forcoj proceset e menaxhimit të riskut dhe të sigurohem që ne të veprojmë në përputhje me vlerën tonë thelbësore të integritetit”, thuhet në deklaratën e saj. Nga ana e tij, Solomon e cilësoi Ruemmler si një “këshilltare të përgjithshme të jashtëzakonshme”, duke theksuar se banka është “mirënjohëse për kontributet dhe këshillat e saj të mençura në një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme ligjore”. Ndërkohë, zëdhënësja e saj, Jennifer Conley, deklaroi për CNN se Ruemmler “nuk ka bërë asgjë të gabuar” dhe “nuk ka asgjë për të fshehur”. Sipas saj, marrëdhënia me Epstein kishte qenë në kuadër profesional, pasi ata kishin një klient të përbashkët dhe ajo kishte marrë referime prej tij, duke mbajtur një marrëdhënie miqësore brenda këtij konteksti.