Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë, ku një vajzë vetëm katër vjeçe humbi jetën pasi u sulmua nga qeni i familjes në zonën e Osternienburger Land.
Sipas mediave gjermane, ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 16:00. Pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën policia, ekipet e emergjencës dhe mjeku i urgjencës, të cilët bënë përpjekje të shumta për ta rikthyer në jetë vogëlushen. Fatkeqësisht, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, mjeku vetëm sa konstatoi vdekjen e saj.
Sipas hetimeve paraprake, vajza dhe qeni ndodheshin në të njëjtën banesë kur ndodhi sulmi. Dyshohet se kafsha e sulmoi fëmijën, duke i shkaktuar plagë fatale.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, qeni nuk përbënte më rrezik të menjëhershëm. Më pas ai u vu nën kontroll dhe u dërgua në një institucion për mbrojtjen e kafshëve.
Autoritetet në Dessau-Roßlau kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi racën e qenit apo arsyet që çuan në sulmin fatal.