Kthesë në rastin tragjik të imamit në Dragash. Ja shkaku i vërtetë

Zbardhen detaje të reja për vrasjen e imamit në Dragash, Bashkësia Islame: Nuk lidhet me detyrën e tij fetare

Janë bërë publike detaje të reja lidhur me vrasjen e imamit të fshatit Zlipotok në Dragash, Gazmend Tahirovcit, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë në një ngjarje tragjike që ka tronditur banorët e zonës.

Sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame për Rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, ka deklaruar se, bazuar në informacionet që kanë në dispozicion, vrasja nuk ka lidhje me angazhimin e të ndjerit si imam apo me aktivitetin e tij fetar.

“E tëra që mund të them është se vrasja e imamit nuk lidhet me punën e tij. Kemi informacione se ky akt i rëndë ka ndodhur për çështje private. Gazmendi ka qenë imam në zonën tonë dhe jemi të tronditur nga humbja e tij. Urojmë që organet e drejtësisë ta zbardhin sa më parë këtë rast. Bashkëndjejmë me familjen e të ndjerit dhe lutemi që Zoti ta mëshirojë”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për këtë krim. Sipas informacioneve, i dyshuari është Beshir Hamza, i cili u vu në pranga mëngjesin e së martës pas një aksioni të organizuar nga autoritetet policore.

Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të dalin me informacione shtesë pas përfundimit të procedurave hetimore.