Përplasje e ashpër në studio televizive – Debati mes Halil Matoshit dhe Viktor Buzhalës degradoi me akuza dhe fyerje
Një debat televiziv mes analistëve politikë Halil Matoshi dhe Viktor Buzhala u shndërrua në një përplasje të ashpër verbale, me akuza, fyerje dhe tone të larta.
Tensionet nisën gjatë diskutimit për zhvillimet politike, kur Viktor Buzhala e akuzoi Matoshin se po jepte deklarata të pavërteta. Kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Matoshit, i cili ndërhyri duke kërkuar nga moderatori të vendoste rregull në debat.
Në kulmin e debatit, Matoshi, i revoltuar nga ndërhyrjet, përdori një deklaratë të ashpër duke pyetur nëse duhej të ngrihej dhe t’i jepte “shpullë” bashkëbiseduesit të tij.
Menjëherë pas kësaj, Viktor Buzhala reagoi me tone edhe më të forta, duke e dënuar deklaratën e Matoshit dhe duke e cilësuar atë si të papranueshme. Ai i kërkoi moderatorit që në emision të ftojë persona që, sipas tij, janë të gatshëm të zhvillojnë debat me argumente dhe të përballojnë mendimet ndryshe, pa kaluar në kërcënime apo gjuhë fyese.
Përplasja mes dy analistëve u bë shpejt virale në rrjetet sociale, ku videoja e debatit u shpërnda gjerësisht dhe nxiti reagime të shumta nga publiku. Incidenti ka rikthyer diskutimet mbi nivelin e debatit publik në studiot televizive dhe nevojën për ruajtjen e etikës gjatë përballjeve mes opinionistëve.