Gjermania po humb punëtorët e kualifikuar: Gjithnjë e më shumë largohen drejt Zvicrës dhe Spanjës
Edhe pse Gjermania vazhdon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse në Evropë për punëtorët e kualifikuar, një numër gjithnjë e më i madh i tyre nuk qëndrojnë përgjithmonë në vend. Pas disa vitesh jetese dhe pune, shumë zgjedhin të shpërngulen në shtete të tjera evropiane, tregon një studim i ri i Institutit për Kërkimin e Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB).
Sipas analizës, personat që largohen nga Gjermania janë kryesisht më të rinj në moshë, kanë jetuar më pak kohë në vend, kanë familjarë jashtë Gjermanisë dhe zotërojnë më mirë gjuhën angleze sesa gjermanishten.
Rreth 60 për qind e atyre që largohen kthehen në vendin e tyre të origjinës, ndërsa 40 për qind vendosin të vazhdojnë jetën dhe karrierën në shtete të tjera. Destinacionet më të preferuara janë Zvicra, Spanja, Italia dhe Kroacia.
Studimi tregon se arsyeja e largimit nuk lidhet vetëm me pagat më të larta në vende të tjera. Një rol të madh luajnë burokracia, procedurat e gjata për leje qëndrimi, njohjen e diplomave dhe marrjen e shtetësisë, si dhe mungesa e mbështetjes për integrimin.
Si faktorë të tjerë përmenden kostoja e lartë e banimit, vështirësitë administrative, mungesa e mundësive për të mësuar gjuhën gjermane dhe përvojat me diskriminimin.
Ekspertët theksojnë se njohja e gjuhës gjermane mbetet çelësi kryesor për suksesin në tregun e punës. Sipas tyre, kandidatët që e mësojnë gjermanishten para se të mbërrijnë në Gjermani kanë shumë më tepër gjasa të ndërtojnë një karrierë afatgjatë dhe të qëndrojnë në vend.
Pavarësisht këtyre sfidave, Gjermania vazhdon të përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe kujdesit për të moshuarit. Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë punëtorë po vijnë nga Kenia, India dhe Vietnami.
Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar masa të reja për thjeshtimin e procedurave administrative, përmirësimin e integrimit të punëtorëve të huaj dhe krijimin e shërbimeve të posaçme që do t’i ndihmojnë emigrantët jo vetëm të vijnë, por edhe të qëndrojnë afatgjatë në Gjermani.