EKZEKUTIM MAFIOZ SI NË FILM: Vritet me 97 plumba një nga figurat më të njohura të mafias greke – policia në kërkim të porositësit
Një ekzekutim mafioz ka tronditur Athinën, pasi një 44-vjeçar, i njohur si një nga figurat më të rëndësishme të botës së krimit në Greqi, u vra me plot 97 plumba në një pikë karburanti në lagjen Neos Kosmos.
Sipas mediave greke, vrasja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një përplasje në kuadër të “luftës së brendshme” mes grupeve mafioze greke.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se 44-vjeçari hyri në xhipin e tij të parkuar, ndërsa menjëherë pas tij u ndal një automjet tjetër. Dy persona zbritën nga makina dhe hapën zjarr ndaj viktimës. Pasi e qëlluan me dhjetëra plumba, njëri prej autorëve hapi derën e shoferit për t’u siguruar se ai kishte ndërruar jetë. Më pas, autorët i vunë flakën automjetit dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
Hetuesit besojnë se bëhet fjalë për një atentat të porositur, për të cilin dyshohet se është paguar një shumë shumë e madhe parash. Viktima, e njohur me nofkën “Zambon”, konsiderohej një nga ekzekutorët kryesorë të mafias greke përpara se të ngjitej në hierarkinë e organizatës kriminale.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia gjeti dy telefona celularë, një pistoletë 9 milimetërshe, si dhe një automatik “Kallashnikov” të mbushur me dy karikatorë në bagazh.
Autoritetet dyshojnë se pas atentatit qëndron një tjetër figurë e njohur e mafias, me nofkën “Karaflas” (“Tullaci”). Ndërkohë, vetë “Zambon” ishte i dyshuar edhe për vrasjen e dy personave të njohur me nofkat “Rambo” dhe “Nionios”, të kryer vitin e kaluar.
Ky nuk ishte atentati i parë ndaj tij. Në tetor të vitit 2018 ai mbeti i plagosur rëndë në krah dhe këmbë, por arriti të shpëtojë pasi automatikut të sulmuesve iu bllokua mekanizmi dhe arriti të shkrepte vetëm disa plumba.
Vetëm një muaj para atij sulmi ishte vrarë edhe një 33-vjeçare me nofkën “Mafia e Bardhë”, me të cilën “Zambon” kishte pasur një lidhje të gjatë.
Emri i tij ishte përfshirë në shumë dosje kriminale. Në vitin 2015 ai ishte pjesë e një grupi kriminal për zhvatje, ku ishin të përfshirë edhe tre efektivë policie.
Gjithashtu, në vitin 2012 emri i tij u përmend në një hetim për një plan të dyshuar për vrasjen e një gjyqtari që merrej me çështjen e rrëmbimit të manjatit grek të transportit detar Periklis Panagopulos, për lirimin e të cilit ishte paguar një shpërblim prej 30 milionë eurosh.
Policia greke po vazhdon hetimet intensive për identifikimin dhe arrestimin e porositësve dhe autorëve të këtij ekzekutimi mafioz që ka tronditur opinionin publik në Greqi.