Fundi i ndryshimit të orës? Eurodeputetët kërkojnë sërish heqjen e kalimit nga ora verore në atë dimërore
Çështja e heqjes së ndryshimit sezonal të orës është rikthyer sërish në qendër të debatit në Bashkimin Evropian. Një grup prej 66 eurodeputetësh i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar që të zbatohet premtimi i kahershëm për t'i dhënë fund ndryshimit të orës dy herë në vit.
Në letrën e tyre, eurodeputetët theksojnë se studime të shumta shkencore tregojnë se ndryshimi i orës ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve. Sipas tyre, kalimi nga ora dimërore në atë verore dhe anasjelltas prish ritmin biologjik të organizmit, ndikon në cilësinë e gjumit, rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru, si dhe lidhet me një shtim të aksidenteve në trafik në ditët pas ndryshimit të orës. Ata shtojnë se përfitimet energjetike, të cilat dikur ishin arsyeja kryesore për këtë praktikë, sot konsiderohen minimale ose pothuajse të papërfillshme.
Nisma për heqjen e ndryshimit të orës nuk është e re. Në vitin 2018, Komisioni Evropian zhvilloi konsultimin më të madh publik në historinë e tij, ku morën pjesë rreth 4.6 milionë qytetarë nga vendet anëtare të BE-së. Plot 84 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër vazhdimit të ndryshimit sezonal të orës. Pas këtij rezultati, Komisioni i atëhershëm, i drejtuar nga Jean-Claude Juncker, propozoi zyrtarisht heqjen e kësaj praktike.
Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian miratoi propozimin, duke parashikuar që vendet anëtare të vendosnin nëse do të mbanin përgjithmonë orën verore apo atë dimërore. Fillimisht ishte planifikuar që ndryshimi i fundit i orës të ndodhte në vitin 2021, por procesi u bllokua, pasi shtetet anëtare nuk arritën një marrëveshje të përbashkët në Këshillin e Bashkimit Evropian. Më pas, pandemia e COVID-19 e shtyu edhe më tej këtë çështje nga agjenda evropiane.
Sipas mediave evropiane, përfshirë Euronews, një pjesë e eurodeputetëve kërkojnë që Komisioni Evropian ta rikthejë këtë dosje në prioritetet e mandatit aktual dhe të vendoset një afat që ndryshimi sezonal i orës të përfundojë deri në vitin 2026. Megjithatë, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar varet nga arritja e një konsensusi mes të gjitha vendeve anëtare.
Për momentin, rregullat mbeten të pandryshuara. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, si edhe shumica e vendeve të Ballkanit, vazhdojnë ta lëvizin orën një orë përpara në fund të marsit dhe një orë prapa në fund të tetorit. Derisa shtetet anëtare të bien dakord për një zgjidhje të përbashkët, qytetarët do të vazhdojnë ta ndryshojnë orën dy herë në vit.