Shtetet e Bashkuara revokuan të martën licenën e përgjithshme që autorizonte shitjen e naftës iraniane, pasi një zyrtar amerikan paralajmëroi se veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit ishin “tërësisht të papranueshme” dhe do të përballeshin me pasoja pas sulmeve ndaj anijeve cisternë në rrugën strategjike ujore.
Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 5% pas njoftimit. Thesari i SHBA-së tha se do të lejonte periudhë lehtësimi deri më 17 korrik për transaksionet e naftës së Iranit që ishin lejuar sipas licencës së revokuar tani, raporton Reuters.
Zyrtari amerikan tha se negociatorët vazhduan të punonin me mirëbesim drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin pavarësisht përshkallëzimit të fundit, përcjell Insajderi.
Vendimi i SHBA-së erdhi pasi tre tankerë raportuan se u goditën nga predha të panjohura në dhe pranë Ngushticës së Hormuzit në ditët e fundit, bëri të ditur në një raport agjencia e lidhur me marinën britanike UKMTO.
Sulmet dhe përgjigja e SHBA-së kërcënojnë të vënë mirëkuptimin e brishtë diplomatik midis Uashingtonit dhe Teheranit në terren të paqëndrueshëm, duke rritur rrezikun që hakmarrja e mëtejshme mund të prishë negociatat mbi një marrëveshje më të gjerë. //