Irani ende pa lider suprem: Ja kush do të jetë pasuesi i Ajatollahut
Irani vazhdon të jetë pa një emër zyrtar për postin e Udhëheqësit Suprem, ndërsa brenda institucioneve fetare dhe politike vazhdojnë debatet dhe deklaratat kontradiktore rreth procesit të përzgjedhjes së pasuesit, transmeton BBC.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, Asambleja e Ekspertëve, institucioni që ka kompetencën për të zgjedhur liderin suprem të Republikës Islamike, ende nuk ka arritur një vendim përfundimtar. Disa anëtarë të kësaj asambleje kanë lënë të kuptohet se një kandidat tashmë ka siguruar mbështetjen e shumicës dhe se shpallja zyrtare mund të bëhet në ditët në vijim.
Megjithatë, burime të tjera brenda asamblesë i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se nuk është zhvilluar ende votimi përfundimtar dhe se lajmet për një vendim të marrë janë të pasakta.
Në mesin e emrave që përmenden si kandidatë potencialë për këtë post të fuqishëm është edhe Mojtaba Khamenei, djali i liderit të ndjerë Ali Khamenei. Por një mundësi e tillë ka shkaktuar reagime edhe në arenën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk e konsideron të pranueshme bashkëpunimin me Mojtaba Khamenei, ndërsa Izraeli ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo figure që do të marrë drejtimin e Iranit ose që do të tentojë të emërojë një pasues të Khameneit.
Ndërkohë, trupi i liderit suprem të ndjerë Ali Khamenei, i cili u vra gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ende nuk është varrosur. Autoritetet iraniane kishin planifikuar një ceremoni mortore në Teheran, por ajo u shty për shkak të pritjeve për një pjesëmarrje shumë të madhe të qytetarëve.
Situata politike në Iran mbetet e tensionuar dhe vëmendja është përqendruar tek vendimi i Asamblesë së Ekspertëve, e cila pritet të përcaktojë emrin e liderit të ri suprem që do të drejtojë vendin në një nga momentet më të ndjeshme të historisë së tij.