Horror në Çellopek: Gruaja mbytet me jastëk, arrestohet i riu 25-vjeçar – mësohet identiteti

Horror në Çellopek: 78-vjeçarja mbytet me jastëk në shtëpinë e saj, arrestohet i riu 25-vjeçar

Një krim i rëndë ka tronditur fshatin Çellopek në komunën e Staro Nagoriçanit, ku një grua 78-vjeçare është vrarë brutalisht brenda shtëpisë së saj. Policia ka arrestuar një të ri 25-vjeçar, i dyshuar si autor i vrasjes.

Sipas njoftimit të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, i dyshuari T.B. (25), banor i fshatit Malotino, dyshohet se më 12 shkurt ka hyrë në shtëpinë e viktimës M.S. (78), e ka sulmuar fizikisht dhe më pas e ka mbytur me një jastëk. Gruaja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

I dyshuari është arrestuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30 në fshatin Dragomancë nga zyrtarët policorë të Policisë së Staro Nagoriçanit. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i njëjti person dyshohet të jetë i përfshirë edhe në disa vjedhje të rënda në disa fshatra të komunës së Staro Nagoriçanit.

Prokurori publik është njoftuar për rastin, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacion policor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij pritet të ngrihet kallëzim penal për veprat e kryera.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe frikë te banorët e zonës, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë.