Skandal i madh dridh fakultetin në Shkup – Inspektorati “ia ve drynin”

Studentë pa studime bachelor në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup janë regjistruar në studime master, e më pas edhe në studime doktorature. Pasi kjo është zbuluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe studimet u janë ndërprerë studentëve të regjistruar, tani nuk ka kush t’ua kthejë paratë, raporton portali MKD.mk.

Sipas informacioneve të portalit, bëhet fjalë për rreth dhjetë studentë të regjistruar në studime master dhe doktorature, të cilëve, pas ndërhyrjes së inspektorëve, u janë ndërprerë studimet.

Ndërkohë, regjistrimi në studimet master kushton rreth 2-3 mijë euro, ndërsa studimet e doktoraturës në Fakultetin Filozofik kushtojnë 5-6 mijë euro.

Studentët tani po kërkojnë kthimin e parave, por nuk po marrin asnjë përgjigje nga dekanati. Jozyrtarisht, një pjesë e tyre tashmë kanë angazhuar avokatë, ndërsa pas procesverbalit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, paniku është përhapur edhe në dekanatin e Fakultetit Filozofik.

Në pyetjet e MKD.mk lidhur me këtë rast, nga Ministria e Arsimit kanë deklaruar se pas një ankese të paraqitur, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka kryer një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese. Pas kontrollit, është konstatuar se në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup janë regjistruar studentë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve (master dhe doktoraturë) pa i plotësuar kushtet e parashikuara me Ligjin për Arsimin e Lartë.

“Janë konstatuar parregullsi, për shkak të të cilave inspektorati ka marrë vendime përkatëse me të cilat është urdhëruar anulimi i regjistrimeve të kryera, në përputhje me kompetencat ligjore. Sa i përket çështjeve që lidhen me kthimin eventual të mjeteve të paguara, kompensimin e dëmit për kohën e humbur, si dhe pasojat në statusin e punës së personave të prekur, ju njoftojmë se këto çështje nuk janë në kompetencë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, por mund të realizohen përmes procedurave përkatëse pranë organeve dhe institucioneve kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Dekan i Fakultetit Filozofik është Oliver Bakreski, ndërsa në periudhën kur janë regjistruar studentët ai ka qenë prodekan.