Tronditëse! 7-vjeçarja humb jetën në karrigen e dentistit gjatë ndërhyrjes nën anestezi të përgjithshme

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi, ku një vajzë 7-vjeçare humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje dentare të kryer nën anestezi të përgjithshme.

Sipas mediave turke, viktima, Ela, ndërroi jetë në spitalin privat Davraz-Yaşam në qytetin Isparta, në jugperëndim të vendit, pasi pësoi arrest kardiak gjatë procedurës mjekësore.

Ngjarja ndodhi më 3 korrik, kur vogëlushja ishte dërguar në klinikë për trajtimin e tetë dhëmbëve në një seancë të vetme. Mjekët kishin vendosur që procedura të kryhej nën anestezi të përgjithshme, me qëllim që fëmija të mos përballej me dhimbjet dhe stresin e disa ndërhyrjeve të ndara.

Megjithatë, gjatë ndërhyrjes ndodhën komplikime serioze dhe 7-vjeçarja pësoi arrest kardiak. Ekipi mjekësor ndërhyri menjëherë me manovra reanimimi, por pavarësisht përpjekjeve, vajza nuk arriti të mbijetojë.

Rasti është marrë nën hetim nga Prokuroria, e cila po shqyrton nëse janë respektuar të gjitha procedurat dhe standardet mjekësore para administrimit të anestezisë.

Avokati i familjes ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me trajtimin e fëmijës, duke kërkuar të sqarohet nëse janë kryer të gjitha analizat e nevojshme para ndërhyrjes, përfshirë analizat e gjakut dhe testet për reaksione alergjike ndaj barnave anestetike.

Prindërit e vajzës, Serap dhe Ali, kanë kërkuar gjithashtu transparencë të plotë nga autoritetet dhe stafi mjekësor. Ata duan të dinë se çfarë doze anestezie iu administrua vajzës së tyre dhe nëse gjatë gjithë procedurës ishte i pranishëm një mjek anestezist, siç kërkohet nga protokollet për ndërhyrje të tilla.

Shkaku përfundimtar i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas rezultateve të autopsisë dhe ekspertizave mjeko-ligjore, të cilat pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e sakta të kësaj tragjedie.

Nga ana tjetër, spitali privat ku u krye ndërhyrja ka deklaruar se gjatë trajtimit janë respektuar të gjitha protokollet mjekësore dhe se arresti kardiak i 7-vjeçares ishte një komplikim i papritur dhe i paparashikueshëm.

Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet pritet të përcaktojnë nëse ka pasur ose jo neglizhencë mjekësore në këtë rast tragjik.