Mrekulli apo gabim mjekësor? Foshnja 18-muajshe u shpall e vdekur, por pesë orë më vonë u gjet e gjallë në morg

Mrekulli apo gabim mjekësor? Foshnja 18-muajshe u shpall e vdekur, por pesë orë më vonë u gjet e gjallë në morg

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, pasi një djalë 18-muajsh, i cili ishte shpallur i vdekur pas një mbytjeje në pishinë, u gjet i gjallë më shumë se pesë orë më vonë në morgun e spitalit.

Ngjarja ndodhi në qytetin Gilbert të Arizonës gjatë një tubimi familjar. Fëmija u gjet me fytyrë poshtë në pishinë, ndërsa ekipet e urgjencës mbërritën menjëherë dhe nisën reanimimin përpara se ta transportonin në spital.

Sipas raportimeve, mjeku kujdestar e shpalli foshnjën të vdekur pas ekzaminimit. Megjithatë, prindërit dhe dy policë të pranishëm pretenduan se kishin vënë re shenja se fëmija ende po merrte frymë. Personeli mjekësor u kishte shpjeguar se bëhej fjalë për frymëmarrje agonale, një refleks që mund të shfaqet pas ndalimit të funksioneve jetësore.

Drama mori një kthesë të papritur rreth pesë orë më vonë, kur një punonjës i morgut shkoi për të marrë trupin dhe vuri re se foshnja ishte ende gjallë. Menjëherë u njoftuan mjekët, ndërsa fëmija u transportua me helikopter në Spitalin e Fëmijëve në Phoenix, ku mori trajtim të specializuar.

Pas disa ditësh trajtimi, gjendja e tij u përmirësua ndjeshëm dhe ai u lejua të kthehej në shtëpi.

Rasti ka nxitur reagime të forta në SHBA. Spitali njoftoi se ka zhvilluar një hetim të brendshëm dhe ka ndryshuar protokollet mjekësore për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.

Ndërkohë, hetimet e policisë zbuluan se fëmija kishte mbetur pa mbikëqyrje pranë pishinës. Për këtë arsye, autoritetet kanë rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj prindërve për neglizhencë dhe rrezikim të mirëqenies së fëmijës.

Prokuroria pritet të vendosë mbi hapat e mëtejshëm, ndërsa rasti vazhdon të hetohet për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një gabim të rëndë mjekësor apo për një situatë jashtëzakonisht të rrallë.