Klopp i sulmon hapur Trumpin dhe Infantinon – fjalët e tij po tronditin rrjetin

Jurgen Klopp është bërë figura e radhës e madhe e futbollit që ka kritikuar ashpër vendimin për pezullimin e dënimit të Folarin Balogunit, duke drejtuar fjalë të rënda ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Pasi u konfirmua se Balogun do të niste si titullar për SHBA-në në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në raundin paraprak, Trump e paraqiti këtë si një fitore personale.

Pezullimi i dënimit të tij u cilësua si një rast i paprecedentë në Kupën e Botës, pasi Shtëpia e Bardhë thuhet se kishte angazhuar një ekip juristësh për të gjetur një rregull pak të njohur që i mundësoi FIFA-s t’i jepte dritën jeshile Balogunit për të luajtur.

“Unë jam ai që i bëra ta ndryshojnë vendimin”, deklaroi Trump gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë.

“E pashë aksionin dhe unë jam një njeri që e dua sportin. Ajo nuk ishte faull. Nuk ishte as shkelje. Ky gjyqtar, i cili është paksa i dyshimtë nëse ia kontrolloni të kaluarën, mori një vendim që askush nuk mund ta besonte. Ai është lojtari ynë më i mirë, ose një nga më të mirët, dhe gjyqtari i dha karton të kuq.

Nuk e dija çfarë ishte kartoni i kuq. Kur e kuptova, thashë: ‘Po bëni shaka!’

Si do të ndiheshit nëse do ta largonim Lionel Messin, Cristiano Ronaldon apo Harry Kane? Ne kemi lojtarët tanë më të mirë dhe edhe ata duhet t’i kenë më të mirët. Nëse fitojmë apo humbim, të paktën të jetë e drejtë”, shtoi Trump.

Ky zhvillim shkaktoi zemërim të madh te shumë vende pjesëmarrëse në Botëror. Mes kritikëve ishte edhe Wayne Rooney, i cili reagoi ashpër në transmetim televiziv, duke kujtuar edhe përvojën e tij personale kur ishte pezulluar në një moment kyç të një turneu ndërkombëtar.

Tani janë shtuar edhe thirrjet që Gianni Infantino të japë dorëheqje, pavarësisht se ai ka hedhur poshtë çdo pretendim për “manipulim” në favor të SHBA-së. Në këtë valë kritikash është përfshirë edhe Jurgen Klopp, i cili e ka dënuar ashpër mënyrën se si është trajtuar rasti.

Klopp: Marrëveshja Trump–Infantino është çmenduri

Ndërsa tensionet rreth mënyrës se si Infantino po e udhëheq futbollin botëror vazhdojnë të rriten, Klopp e ka cilësuar këtë situatë si diçka që nuk i përket futbollit.

Sipas raportimeve të “The Telegraph”, trajneri gjerman e quajti përfundimin e kësaj marrëdhënieje një “çmenduri”.

“Ky është sporti ynë, jo i tyre”, tha Klopp.

“Nëse Donald Trump dhe Gianni Infantino e kanë zgjidhur vërtet këtë mes tyre, atëherë kjo është çmenduri. Kjo vë gjithçka në pikëpyetje”, shtoi ai.

Komentet e Kloppit janë të fundit në një seri reagimesh të ashpra ndaj vendimit të FIFA-s.

“Kjo godet një nga bukuritë e futbollit: zbatimin e njëjtë të rregullave dhe rregulloreve në të gjithë botën”, deklaroi ish-kryetari i Federatës Angleze të Futbollit, David Bernstein.

Edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, reagoi kundër këtij zhvillimi.

“Kartonët e kuq nuk anulohen me telefonata politike. Ato anulohen me rregulla, prova dhe organe të pavarura”, tha Blatter.

“Nëse një president amerikan ndërhyn te presidenti i FIFA-s dhe një lojtar papritur lejohet të luajë para një ndeshjeje me eliminim direkt në Kupën e Botës, pyetja bëhet e pashmangshme: Quo vadis, FIFA?

Futbolli nuk duhet të bëhet kurrë një fushë loje për pushtetin politik”, shtoi ai.

Balogun e nisi ndeshjen kundër Belgjikës si titullar, duke udhëhequr sulmin e skuadrës së Mauricio Pochettinos përkrah Christian Pulisic dhe Sergiño Dest, me shpresën për të vazhduar formën e mirë para portës.

Megjithatë, polemikat rreth aktivizimit të tij mbetën një nga temat më të mëdha të ndeshjes dhe të gjithë Botërorit, duke hapur një debat të madh për pavarësinë e FIFA-s, ndikimin politik dhe barazinë e rregullave në futbollin ndërkombëtar.