Federata Braziliane e Futbollit ka konfirmuar se Carlo Ancelotti do të vazhdojë të jetë përzgjedhës i kombëtares, pavarësisht eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë në fazën e 1/16 së finales.
Sipas raportimeve të “Sky Sport Italia”, drejtori ekzekutiv i përfaqësueseve të Brazilit, Rodrigo Caetano, ka bërë të ditur se federata ka besim të plotë te tekniku italian dhe nuk ka në plan të bëjë ndryshime në stol.
Caetano theksoi se Brazili do të vazhdojë projektin afatgjatë deri në Kupën e Botës 2030, duke shmangur ndryshimet e shpeshta të trajnerëve.
“Brazili duhet të vazhdojë një cikël normal deri në Kupën e Botës 2030, me më shumë qetësi sesa ndryshimet e shpeshta të trajnerëve që kanë karakterizuar katër vitet e fundit”.
“Me trajnerin e konfirmuar për ciklin e ardhshëm, do të jemi në gjendje të fillojmë rindërtimin e ekipit në shtator. Pikërisht për këtë arsye, CBF do të bëjë të kundërtën e asaj që është bërë zakonisht. Federata tashmë ka fituar besim në punën e Ancelottit edhe para Kupës së Botës”, deklaroi Caetano.
Edhe vetë Ancelotti kishte bërë të ditur pas humbjes ndaj Norvegjisë se dëshiron të vazhdojë në krye të Brazilit, duke e cilësuar eliminimin si “fillimin e një cikli të ri” për pesë herë kampionët e botës.