Tragjedi e madhe: Sakrifikoi jetën për të shpëtuar fëmijët e tij – 54-vjeçari ndërron jetë pasi i nxori të sigurt në breg

Tragjedi në Itali: Sakrifikoi jetën për të shpëtuar fëmijët e tij – 54-vjeçari vdes pasi i nxori të sigurt në breg

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një baba 54-vjeçar humbi jetën pasi arriti të shpëtojë dy fëmijët e tij binjakë nga rrymat e forta të detit në plazhin e Otrantos.

Sipas mediave italiane, tragjedia ndodhi të shtunën rreth orës 11:30. Edhe pse deti ishte i trazuar dhe frynte erë e fortë, në ujë ndodheshin shumë pushues. Mes tyre ishin edhe dy binjakët 8-vjeçarë, të cilët u tërhoqën papritur nga rrymat dhe u larguan nga bregu.

Sapo dëgjoi thirrjet për ndihmë, babai, Gennaro Cagnazzo, 54 vjeç nga provinca e Leçes, u hodh menjëherë në det. Pas një përpjekjeje të mundimshme, ai arriti t’i kapte fëmijët dhe t’i kthente të sigurt në breg, duke u shpëtuar jetën.

Por vetëm pak çaste pasi doli nga uji, ai u ndje keq, u rrëzua në rërë dhe humbi ndjenjat.

Pushuesit dhe më pas ekipet e urgjencës ndërhynë menjëherë, duke i kryer reanimim për një kohë të gjatë, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 54-vjeçari pësoi një arrest kardiak ose një problem tjetër serioz shëndetësor, i shkaktuar nga lodhja dhe sforcimi i madh fizik gjatë përpjekjes heroike për të shpëtuar fëmijët.

Ngjarja ka prekur thellë banorët e zonës dhe pushuesit që ishin dëshmitarë të tragjedisë. Falë sakrificës së tij, dy fëmijët shpëtuan dhe nuk pësuan lëndime, por do të rriten pa babanë e tyre, i cili dha jetën për t’i shpëtuar.