Tragjedi e madhe pasditen e sotme në Greqi: Mbytet një fëmijë 6-vjeçar pasi i humbi nga sytë nënës

Një tragjedi e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Greqi, ku një fëmijë 6-vjeçar humbi jetën pasi u gjet pa ndjenja në pishinën e një banese.

Sipas raportimeve, fëmija ndodhej me nënën e tij 32-vjeçare, e cila punonte si pastruese në një shtëpi dykatëshe në zonë.

Në rrethana që po hetohen nga autoritetet, vogëlushi dyshohet se i shpëtoi vëmendjes së nënës ndërsa ajo po pastronte katin e parë të shtëpisë. Pak çaste më vonë, ajo e gjeti djalin pa ndjenja në pishinë.

Menjëherë u njoftua shërbimi i urgjencës, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën përpjekjet për ta rikthyer në jetë, duke i kryer reanimim kardiopulmonar (CPR).

Fëmija u transportua në Qendrën Shëndetësore të Pylosit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe ekipit të emergjencës, ai u shpall i vdekur rreth orës 16:30.

Policia e Pylosit ka nisur hetimet paraprake për të sqaruar rrethanat e sakta të kësaj tragjedie, ndërsa është urdhëruar edhe kryerja e autopsisë.