Tragjedi e rëndë pranë Maqedonisë së Veriut: Humbin jetën gjyshi, gjyshja dhe dy nipërit në lumin Struma
Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur Bullgarinë, ku katër anëtarë të së njëjtës familje – gjyshi, gjyshja dhe dy nipërit e tyre, 8 dhe 11 vjeç – humbën jetën në lumin Struma, pranë fshatit Pastuh në komunën e Nevestinos, jo larg kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Sipas mediave bullgare, familja kishte dalë për piknik pranë lumit së bashku me tre nipërit. Në një moment, gjyshi dhe gjyshja hynë në ujë, por u morën nga rrjedha e fortë e lumit.
Duke parë se çfarë po ndodhte, dy fëmijët më të mëdhenj, 8 dhe 11 vjeç, u futën në ujë për t’i shpëtuar, por edhe ata u rrëmbyen nga rryma.
Pas disa orësh kërkime intensive, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pajetë të dy fëmijëve pranë vendit ku kishin humbur. Më herët ishin gjetur edhe trupat e gjyshit dhe gjyshes.
I vetmi që shpëtoi ishte fëmija gjashtëvjeçar, i cili nuk hyri në ujë. Ai vrapoi deri te rruga për të kërkuar ndihmë. Sipas autoriteteve, fëmija ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, por nuk ka pësuar lëndime fizike.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit morën pjesë policia, zjarrfikësit, vullnetarët, si dhe ekipe me dronë dhe varka. Kërkimet zgjatën më shumë se tre orë.
Banorët e zonës paralajmërojnë se lumi Struma në këtë segment është shumë i rrezikshëm, me thellësi deri në 8-9 metra dhe rryma të fuqishme, ku edhe më parë kanë ndodhur aksidente tragjike.