Mbytet një djalë 6-vjeçar pasi humbi nga sytë e nënës -Tragjedi e madhe në Greqi

Tragjedi në Greqi: Mbytet një djalë 6-vjeçar pasi humbi nga sytë e nënës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë pasditen e së enjtes, ku një djalë vetëm 6 vjeç humbi jetën pasi u gjet pa ndjenja në pishinën e një banese.

Sipas mediave greke, fëmija ndodhej së bashku me nënën e tij 32-vjeçare, e cila punonte si pastruese në një shtëpi dykatëshe në zonë.

Sipas informacioneve paraprake, në një moment djali i vogël i ka shpëtuar vëmendjes së nënës, ndërsa ajo po pastronte katin e parë të banesës. Pak minuta më vonë, ajo e ka gjetur fëmijën pa ndjenja në pishinë.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e urgjencës, të cilat kanë kryer manovrat e reanimimit (CPR) në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.

Më pas, 6-vjeçari u transportua me urgjencë në Qendrën Shëndetësore të Pylos, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai u shpall i vdekur rreth orës 16:30.

Autoritetet policore në Pylos kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie, ndërsa është urdhëruar edhe kryerja e autopsisë.