**Policia ka ndërmarrë veprime penale lidhur me rastin e dhunës mes të miturve në lagjen Aerodrom të Shkupit**, ku një vajzë 12-vjeçare u sulmua fizikisht nga dy të mitura, ndërsa i gjithë incidenti u filmua dhe u shpërnda.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, më 1 korrik, rreth orës 19:30, një grua 31-vjeçare raportoi se vajza e saj 12-vjeçare, një natë më parë në një park në Komunën e Aerodromit, fillimisht ishte detyruar në dy raste të ulej në gjunjë dhe të kërkonte falje, e më pas ishte sulmuar fizikisht nga një 14-vjeçare.
https://www.instagram.com/reel/DaP4KQIx8Sd/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=loading
Sulmi vazhdoi edhe nga një tjetër e mitur, ndërsa disa të mitur të pranishëm e filmuan të gjithë ngjarjen me telefonat e tyre celularë.
Gjatë së njëjtës ditë, në stacionin policor u zhvilluan biseda zyrtare me dy të miturat në prani të prindërve të tyre. Për rastin janë njoftuar edhe prokurori publik për të mitur dhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale.
MPB bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të gjithë të miturve të përfshirë në incident, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit. Pas përfundimit të hetimeve do të ngrihen kallëzime penale për veprat **”dhunë”** dhe **”neglizhencë dhe keqtrajtim i të miturit”**, ku do të përfshihen edhe prindërit e vajzave të mitura.