Alarm në Liqenin e Batllavës, dyshohet se një i ri u zhduk në ujë

Alarm në Liqenin e Batllavës, dyshohet se një i ri u zhduk në ujë – në terren ekipet e kërkim-shpëtimit

Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së martës në Liqenin e Batllavës, ku dyshohet se një i ri është zhdukur pasi ka hyrë në ujë dhe nuk është parë më të dalë në sipërfaqe.

Sipas informacioneve të para, rasti është raportuar rreth orës 13:00. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar njësitë e Policisë së Kosovës, si dhe ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur operacionin për gjetjen e personit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se autoritetet kanë pranuar informatën se një person kishte hyrë në ujë dhe më pas nuk ishte parë të dilte.

“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe ekipet e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të tij. Operacioni është ende në zhvillim”, bëri të ditur Pllana.

Deri në këto momente, personi nuk është lokalizuar, ndërsa autoritetet po vazhdojnë kërkimet në zonën e liqenit. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe pritet që policia të japë më shumë detaje pas përfundimit të operacionit.