
Policia bullgare heton vdekjen e gjashtë personave, dyshohet për vrasje rituale
Autoritetet bullgare po hetojnë vrasjen e gjithsej gjashtë personave të lidhur me një organizatë joqeveritare mjedisore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po shqyrton disa versione të ngjarjes, përfshirë edhe mundësinë që vrasjet të jenë të lidhura me një kult apo ritual.
Në fillim të shkurtit, policia raportoi vrasjen e tre personave në një shtëpizë malore në pronësi të një OJQ-je, e vendosur pranë qafës së Petrohanit, njoftuan mediat bullgare.
Në atë kohë u lëshua një urdhër-arrest për tre të dyshuar, përfshirë drejtorin e organizatës dhe pronarin e shtëpizës, Ivajllo Kallushev, për të cilin policia tha se kishte ikur nga vendi i krimit.
Sipas mediave bullgare, Kallushev, një djalë 15-vjeçar dhe një burrë 22-vjeçar u gjetën të vrarë në një kamper në pyll, ndërsa trupat u zbuluan rastësisht nga një bari. Në vendngjarje po zhvillohen veprime intensive hetimore dhe policia e ka rrethuar zonën. Deri tani nuk ka deklarata zyrtare lidhur me këtë incident të ri.
Më herët, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Republikës së Bullgarisë, Borislav Sarafov, prezantoi detaje nga hetimi për rastin e quajtur “kasollja e tmerrit”, duke e krahasuar atë me serialin amerikan televiziv “Twin Peaks”.
“Punoj si hetues dhe prokuror prej 31 vitesh dhe kam parë shumë gjëra, por ajo që po shoh tani më ka tronditur thellë. Përveç vrasjes, u trondita edhe nga aktivitetet e një organizate joqeveritare që, duket qartë, është përpjekur të marrë rolin e institucioneve shtetërore, por ka vepruar në interesat e veta”, deklaroi më herët Sarafov, duke theksuar se nuk mund ta imagjinonte se diçka e tillë ekzistonte.
Më 4 shkurt, policia konfirmoi se tre trupa me plagë nga armë zjarri u gjetën pranë shtëpizës afër Petrohanit. Sipas të dhënave nga autopsia, dyshohet se kanë kaluar nga 12 deri në 18 orë ndërmjet momentit të vrasjes dhe zbulimit të trupave të viktimave.
Në shtëpizë u gjet një sasi e madhe armësh zjarri, ndërsa objekti ishte pothuajse plotësisht i djegur. Po ashtu, shtëpiza ishte e fortifikuar me gardhe, barriera, kamera sigurie dhe pajisje vëzhgimi, përfshirë edhe dronë.
Personat që jetonin aty pretendonin se po mbronin pyjet dhe mjedisin, shpesh ndalonin turistët dhe banorët lokalë, u kërkonin dokumente identifikimi dhe kufizonin hyrjen në zonë.
Hetuesit dyshojnë se organizata joqeveritare mjedisore që zotëronte shtëpizën mund të ketë qenë e lidhur me një kult, ku, sipas dyshimeve, kanë qenë të përfshirë edhe adoleshentë dhe fëmijë.